KINEMATOGRAFIAndrei TarkovskyANDREI TARKOVSKY: NJË POET NË KINEMA (PJESA 1)

ANDREI TARKOVSKY: NJË POET NË KINEMA (PJESA 1)

-

Nga Andrei Tarkovsky

 

Çfarë do të preferoje, një djalë apo një vajzë?…

T’u plotësohen ëndërrat e tyre të vërteta

që t’u besojnë atyre, dhe

që të mund të qeshin me pasionet e tyre

dhe mbi të gjitha

që të kenë besim te vetja

dhe që të jenë të pambrojtur si fëmijë

sepse dobësia është forcë

ndërsa, forca është asgjë

kur lind, njeriu është i dobët dhe delikat

kur vdes, është i fortë dhe i ashpër

ashtu si pema: e ëmbël

dhe elastike teksa rritet

dhe pastaj kur vdes

është e thatë dhe e fortë

ashpërsia dhe forca janë bashkëudhëtarë të vdekjes

dobësia dhe elasticiteti  

Shprehin freskinë e ekzistencës

Ajo ç’ka është e ashpër nuk do të fitojë

 

Kush je ti?

 

Nuk e di. Askush nuk e di se kush është. Është shumë më e
lehtë të gjykojmë njerëzit e tjerë. Ne dimë shumë pak për veten. Fakti është që,
ne nuk jemi në gjendje ta kuptojmë njeriun.

 

A je i lumtur që ke
lindur?

 

I lumtur nuk është fjala e duhur. Kjo botë nuk është një
vend ku ne mund të jemi të lumtur. Nuk është krijuar për lumturinë e njeriut. Megjithëse,
shumë njerëz besojnë se, kjo është arsyeja e ekzistencës sonë. Unë mendoj se,
ne jemi këtu për të luftuar në mënyrë që e mira dhe e keqja brenda nesh të mund
të përplasen, dhe e mira të triumfojë, kështu, duke na pasuruar ne shpirtërisht.
Është e vështirë të themi nëse jemi të lumtur apo jo: kjo nuk varet prej
nesh…Ka raste kur njeriu bëhet pishman që ka lindur, por jeta në dhuron
gjithashtu edhe surpriza, dhe vetëm për këtë ia vlen që të jetosh. Çështja e
lumturisë nuk ekziston për mua. Lumturia si e tillë nuk ekziston.

 

Andrei, më flit për fëmijërinë
tënde…

 

Mua më kujtohet shumë mirë fëmijëria ime. Ajo ka qenë
periudha më e rëndësishme e jetës sime, dhe një periudhë që më ka shënjuar për
jetën time si i rritur. Fëmijëria e përcakton gjithmonë të ardhmen tonë, veçanërisht
nëse puna jonë është e lidhur me artin, apo me probleme të brendshme
psikologjike. Anna Akhmatova, poetja, theksonte rëndësinë e fëmijërisë së saj,
që ushqeu të gjithë jetën dhe punën e saj. Dhe kjo është e vërtetë për të
gjitha aktivitetet krijuese. Unë kam jetuar me nënën time, me gjyshen dhe me
time motër. Unë jam rritur nga ime më dhe sigurisht që, kjo ka ndikuar në
formimin e karakterit tim. Prindërit e mi u ndanë…në vitin 1935-të ose 1936-të.
Ime motër Marina dhe unë qëndruam me të. Shtëpia e fëmijërisë sime është një
shtëpi e vogël në pyll, 90-100 km nga Moska, afër një fshati të vogël,
Ignatevo, pranë lumit të Moskës. Ne jetuam aty përpara luftës, në vitin 1935-së,
36-të, 37-të. Për shkak të marrëdhënies së prindërve tanë, ishte një kohë shumë
e vështirë. Ky ishte momenti kur im atë na la.   

 

Më kujtohet një episod: Një natë im atë erdhi tek ne dhe
ai dëshironte që unë të shkoja dhe të jetoja me të dhe më kujtohet se si u
zgjova nga diskutimet e tyre. Ime më po qante, edhe unë po qaja, por në
heshtje. Përgjigja ime, e kisha vendosur që do të ishte ‘jo’ edhe nëse ime më
do të më kërkonte që të shkoja me të. Por mua më ka munguar babai gjatë gjithë
jetës sime. Ka qenë një kohë mjaft e dhimbshme: duke pritur gjithmonë që ai të
kthehej. Më vonë, që të kthehej nga fronti i luftës, duke qenë se ai ishte
bashkuar me ta vullnetarisht. Lufta ishte shumë e keqe: im atë u nis për në
front, mua më mungonte ai, letrat e tij vinin shumë rrallë. Por ai u kthye, me
një këmbë, por u kthye. Edhe pse nuk jetonte me ne, ai u kthye…Ai u kthye me
gradën kapiten dhe me Urdhërin e Yllit të Kuq.

 

Nëse do të më pyesnin se cilat kanë qenë fantazitë e mia
kur kam qenë fëmijë, përgjigjja ime e vetme do të ishte: unë po prisja që lufta
të përfundonte. Atëherë kisha vetëm dy mendime: përfundimin e luftës dhe
kthimin e tim eti. Dhe diçka tjëtër, ushqimin. Ne ishim duke vdekur urie në atë
kohë dhe ushqimi ishte diçka shumë e rëndësishme. Sigurisht që, ne nuk mendonim
vetëm për ushqimin, por kjo mund të shpjegojë edhe dritëshkurtësinë e fantazive
të mia.

 

E gjithë fëmijëria ime është e lidhur me time më. Sigurisht
që, po, ajo më rriti. Ajo u kujdes për ne, ajo pati një jetë të vështirë. Ajo
kishte përfunduar Institutin e Letërsisë, si im atë. Ata u takuan atje. Por kur
ai na la, ajo nuk mund të studionte më dhe të diplomohej me dy fëmijë që po
rriteshin. Ajo shkoi të punonte si redaktore në Moskë dhe punoi në të njëjtin
vend deri sa doli në pension.

 

Jeta jonë ka qenë shumë e vështirë. Dhe gjëja e mirë që
kam, nëse e kam, si fakti që jam regjizor, ia detyroj të gjithën asaj, për
sakrificën e saj për të më bërë në atë që jam tani.

 

Ka qenë një periudhë e vështirë në jetën time. Unë përfundova
në një shoqëri të keqe, isha 20-të vjeç atëherë. Ime më, më shpëtoi: ajo më dërgoi
që të punoja në Siberi. Kalova aty një vit. Punova aty si vjelës, si punëtor i
thjeshtë. Kalova në këmbë stepat e mbuluara me borë. Siberia është një nga
kujtimet e mia më të bukura, koha më e bukur në jetën time.

 

A mendon se e ke gjetur
tani, atë që këkoje kur ishe fëmijë?

 

Nuk e di. Është një pyetje e vështirë. Sigurisht që, kam
qenë duke kërkuar për diçka. Ndjeva që një ditë do të bëja diçka sikur të
besoja paraprakisht në fatin tim të paracaktuar. Është kaq e ëmbël të mendosh që
je i paracaktuar. Pastaj kam bërë gjëra që nuk do të ishte e drejtë që t’i
quaja fëmijërore, sepse isha duke u bërë gati për jetën time të ardhshme…edhe
pse nuk isha i vetëdijshëm për atë. Ime më e dinte se çfarë ishte e mirë për
mua. Unë isha shumë sipërfaqësor për të ditur se çfarë dëshiroja.

 

Pavarësisht situatës sonë të vështirë, unë i përfundova
studimet e mia muzikore për piano dhe më pas shkollën time të artit në Moskë. Qartësisht,
ime më dëshironte që unë t’ia përkushtoja jetën time artit. Shembulli i tim eti,
ishte themelor për të. Ajo e deshi atë për gjithë jetën e saj. Dhe deri diku,
ajo dëshironte që unë të isha si ai, kështu që, unë përfundova tek artet, por
jo si pianist apo si dirigjent, si piktor ose si skulptor: pra të gjitha gjërat
që kisha studiuar. Ndonjëherë, ajo më pyet nëse kam pengje. Unë nuk e di. Sigurisht,
më vjen keq që nuk kam punuar me muzikën, apo si dirigjent orkestre. Do të
kishte qenë një profesion më i lehtë për mua. Në rastin tim, pa gjithë këtë
sfond kulturor nuk do të isha bërë dot regjizor. Por as nuk mund të them se e
kam gjetur atë që kërkoja kur isha fëmijë. Atëherë, nuk doja të isha as piktor,
as muzikant. Karakteri im, ishte i ngjashëm me atë të një bime: Unë nuk mendoja
shumë, por ndjeja, perceptoja.

 

Fëmijëria, është gjithnjë e mrekullueshme. Edhe fëmijëritë
më të këqia mbeten tek ne si periudha më e mirë e jetës sonë. Personalisht, unë
shikoja një kohë ku e kisha çdo gjë përpara meje dhe unë isha i pavdekshëm dhe çdo
gjë ishte e mundur. Kush mund ta dijë nëse fëmijëria ime është ende këu me mua?
Nëse do të mendoja që ajo do të ikte prej meje, do të isha i humbur. Mendoj se,
ndjesitë e saj më kanë lënë, por fëmijëria ime është ende brenda meje për të më
mbështetur dhe për të stimuluar aktivitetin tim krijues. Nëse ajo do të ishte
zhdukur në një hiç, nuk do të kisha mundur të bëja dot asgjë në kinema.

 

A mendon se kë bërë gjënë
e duhur duke zgjedhur kinemanë?

 

Përshtypjet e mia të para për kinemanë kanë qenë shumë të çuditshme.
Nuk arrija të kuptoja se çfarë ishte kinemaja. Ndonjëherë studentët e dinin se çfarë
ishte ajo që në fillim. Ndërsa për mua ajo ishte një enigmë. Edhe më vonë kisha
dyshime. Nuk e ndjeja atë. Nuk isha i prerë për të. E dija që kishte aspekte të
rëndësishme teknike, por nuk e kisha kuptuar që ajo ishte një mjet shprehjeje,
ashtu si peozia, muzika dhe letërsia. Edhe pas xhirimit të filmit ‘Fëmijëria e
Ivanit’…ende nuk e kisha kuptuar rolin e regjizorit. Ajo ishte një kërkim, një
kërkim i verbër për pika takimi me poezinë. Vetëm atëherë e kuptova që, ajo që
kinemaja të jep mundësinë që të arrish thelbin e shpirtërores. ‘Fëmijëria e
Ivanit’, ishte shumë i rëndësishëm për mua sepse unë nuk kisha asnjë ide se çfarë
ishte kinemaja. Madje as tani nuk jam i sigurt se çfarë është kinemaja. Për mua
është një mister i madh, si çdo formë tjetër arti.  

 

Cila është marrëdhënia ndërmjet
fëmijërisë së Ivait dhe fëmijërisë suaj?

 

Njerëzit shpesh e lidhin fëmijërinë time me atë të Ivanit,
por është gabim pasi gjërat e vetme që ne kemi të përbashkëta janë mosha dhe
lufta. Fati im nuk ishte aq tragjik. Unë jam ende gjallë, ndërsa ai ka vdekur.
Ndërsa, unë isha me gjyshen time në lumin Vollga, ai ishte duke luftuar. Kam
jetuar atje dy herë; përpara dhe gjatë luftës. Unë kisha lindur aty afër, në
krahun tjetër të lumit, në një fshat të vogël në Zavarazhe. Nuk ekziston më…ata
i ngritën krahët e lumit për të ndërtuar një stacion energjie dhe Vollga e përmbyti
atë. Vetëm këmbanorja e kishës doli nga uji.

 

Burimi: Dokumentar përkushtuar poetit më të madh rus, Andrei Tarkovsky,
1983, nga Donatella Boglivo:
https://www.youtube.com/watch?v=s2ETxZK9HXM&list=PLPV3nUyTvwwqVs8k0bPdlteDpp3ThVYPb

 

Përzgjodhi dhe përktheu nga anglishtja – Enkeleda Suti

 

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Të fundit

KOLEKSIONIZMI SI FENOMEN | Nga ARTAN SHABANI

KOLEKSIONIZMI SI FENOMEN Koleksionizmi i artit është një fenomen që daton me antikitetin greko-romak dhe me kalimin e kohës koleksionizmi...

Me trupin tend te mornicuar / Nga Joyce Mansour

E hapa koken tende Per te lexuar mendimet e tua I pertypa syte e tu Per te shijuar veshtrimin tend E piva gjakun...

Dua te fle krahe me krahe me ty, nga Joyce Mansour

Dua te fle krahe me krahe me ty Floket tone te gershetuar Sekset tona te bashkuara Me gojen tende per jastek Dua te...

Seria e re e pikturave nga Parlind Prelashi

Seria e re e pikturave nga Parlind Prelashi @p.prelashi #art #artist #love #drawing #photography #artwork #instagood #photooftheday...

Podcast me Adriana Puleshi – 25 December 2023, Live nga Tirana, ALB

Posterat - Podcast me Adriana Puleshi - 25 December 2023, Live nga Tirana,...

Podcast me Arif Lushi – 15 December 2023, Live nga Tirana, ALB

Posterat - Podcast me Arif Lushi - 15...

Duhet të lexoni

Ti mund të pëlqesh gjithashtu:
Rekomanduar për ty