KINEMATOGRAFIMartin ScorseseMARTIN SCORSESE DHE ARTI I RRËFIMTARISË KINEMATOGRAFIKE

MARTIN SCORSESE DHE ARTI I RRËFIMTARISË KINEMATOGRAFIKE

-

MARTIN SCORSESE DHE ARTI I RRËFIMTARISË KINEMATOGRAFIKE

Filmat janë kujtimet e kohëve tona. Poshtë bukurisë ngërthyese të kinematografisë dhe misterit të imazhit në lëvizje, qëndron forma e artit më fin dhe më sfidues. Martin Scorsese edhe një herë na kujton se “Filmat janë një përpjekje për të kapur misterin se kush jemi dhe çfarë jemi” sepse “kinemaja prek zemrat tona dhe zgjon vizionin tonë”, duke ndryshuar mënyrën se si ne perceptojmë botën rreth nesh. Sepse përmes filmit dhe artit ne mund të riekzaminojmë dhe ristrukturojmë ndërveprimet tona me njëri-tjetrin dhe me hapësirën në të cilën ne jetojmë. Shpesh filmat replikojnë realitetin nga një distnacë, duke evokuar tek ne një ndjesi identifikimi dhe rivlerësimi të së vërtetës. Ngjashmëria fizike e filmit me “Botën Reale”, përfaqëson ndoshta pyetje kyçe rreth procesit të filmbërjes dhe ndërveprimit tonë me vetë Kinemanë. Sepse, pavarësisht se sa intriguese dhe magjepsëse mund të jetë imazhi i lëvizshëm, misteri i vërtetë i filmit qëndron tek arti transformues i rrëfimtarisë kinematografike. Çdo film është një përvojë zgjuese, të cilën ne të gjithë e ndajmë dhe ky nocion bëhet edhe më i dukshëm nëse ajo aplikohet ndaj punës së regjizorit Martin Scorsese. Djemtë e mirë (Goodfellas), Shoferi i taksisë (Taxi Driver), Demi i tërbuar (Raging Bull), Ujku i Wall Street-it (The Woolf of Wall Street), është e qartë se të flasësh për gjuhën e kinemasë do të thotë të flasësh për veprat e Scorsese-s. Puna e tij e gjerë dhe e vazhdueshme njëherësh në regji, produksion, shkrim dhe ruajtjen e filmit, ka ndikuar fuqimisht rrugën tonë drejt gjuhës pamore. Kontributi i Scorsese-s si një historian filmi dhe themelues i Fondacionit të Filmit janë po aq impresionuese sa kinematografia e tij, sepse Scorsese i afrohet filmit si një student shumë kurioz, duke adhuruar Mjeshtrat e Vjetër, siç adminor Klasikët një piktor i ri, duke zgjeruar dijet e tij dhe duke besuar se ka gjithmonë shumë më shumë për të mësuar. Angazhimi i Martin Scorsese-s ndaj restaurimit të filmit, krijon një urë ndërmjet të shkuarës dhe së ardhmes së filmbërjes. Dhe është gjuha e fortë kinematografike e Scorsese-s që e ndan atë nga krijuesit e tjerë; më shumë se çdo regjizor tjetër ai e kupton rëndësinë e leksikut të kinemasë: Kompozimin, Editimin, Lëvizjen e Kameras, Kohën. Çdo element i shërben një funksioni të ndryshëm në rrëfimtarinë kinematografike, duke na kujtuar, edhe një herë, mbi delikatesën dhe fuqinë e filmit dhe përvojën kinematografike. Dhe, ashtu sikurse perceptimi ynë nuk na jep një portretizim të saktë, matematikor të botës, gjuha e kinemasë përfshin mashtrimin, çorientimin, duke shkuar përtej kodeve të menjëhershme, duke tradhtuar shqisat. Rrjedhimisht, kinemaja, ka të bëjë jo vetëm me atë që ju shihni në hapësirën filmike, por gjithashtu edhe për atë që nuk shihni: atë çka është përtej kuadrit dhe që ne vetëm mund ta imagninojmë. Të kuptosh se si t’i vendosësh lentet, madhësia e lenteve, sa shumë le në  kuadër dhe sa shumë le jashtë kuadrit, formësojnë historinë dhe marrëdhënien e audiencës me personazhet. Kinemaja përforcon, modifikon dhe sulmon repertorin e percptimeve tona normale, duke superimponuar jetën dhe filmin, historinë dhe personazhin nëpërmjet rrëfimtarisë pamore. Sepse poshtë gjuhës së lustruar të fotografisë apo editimit të shpejtë, të fortë shtrihet një analizë penetruese e mizorisë, maskulinitetit, moralit dhe shëlbimit. Shpesh personazhet e tij përballen me asgjesimin dhe vetminë në një mjedis të dhunshëm. Dhe dhuna në një film të Scorsese-s portretizohet pa falje, madje nodnjëherë edhe si një shprehje e çmendurisë individuale, por gjithmonë si një pasqyrë e konfliktit brenda mendjeve të personazheve apo të shoqërisë rreth tyre. Në këte skenar, shpesh kriminaliteti është një shtrirje e konfliktit brenda familjes, vëllazëria e mafias që vepron si një strehë mbrojtëse si edhe si një farë rregullatori i fuqisë. Fuqia, e cila kaq shpesh portretizohet sikur ecën dorë për dore me Tradhëtinë. Të shohësh një film të Scorsese-s, do të thotë të përjetosh personazhe të forta, një mikrokozmos të realitetit njerëzor dhe të gjendjes njerëzore të reflektuar tek Historia dhe Filmi. Kështu, kinemaja transfiguron vetveten, vështrimi vojerist mbi botën e personazheve tona kthehet në një pasqyrë ku ne ftohemi për të parë vetveten përballë tjetrit në ekran. Në të vërtetë, kinemaja është, një dialog i vazhdueshëm, konstant me vetë jetën; të tregosh një histori do të thotë t’i kushtosh tribut jetës rreth nesh. Siç e ka përmendur njëherë vetë Scorsese, “Ndoshta kinemaja është një hapësirë e vërtetë fetare, një hapësirë për komunitetin për të ndarë një përvojë të përbashkët” dhe si spektatorë, ne ftohemi për të eksploruar hapësirën filmike: nga këndvështrimi i kameras, ne drejtohemi për të parë përtej perspektivës së personazhit, për të humbur vetveten në film dhe për t’u bërë njësh me filmin. Kështu, të shohësh një film të Scorsese-s do të thotë të gjesh kuptim në çdo sekuencë të mjeshtëruar me kujdes; të shohësh një histori të shpaloset në heshtje apo zhurmën përmbytëse të një çasti. Rrëfimtaria kinematografike na sfidon për të rizbuluar filmin si një gjuhë në të gjitha kuptimet e tij të mundshme të ndryshme të përfaqësimeve dhe kodeve pamore. Por të flasësh një gjuhë kinematografike, shpesh do të thotë ta shpikësh atë dhe respekti i Martin Scorsese-s për Kinemanë si një gjuhë Arti, mund të shihet i reflektuar, i pastër si kristali, në Kinematografinë e tij.     

Burimi: https://www.youtube.com/watch?v=4670xQnsxbQ 

Copyright i përkthimit www.enkeledasuti.com

Përzgjodhi dhe përktheu Enkeleda Suti. 

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Të fundit

KOLEKSIONIZMI SI FENOMEN | Nga ARTAN SHABANI

KOLEKSIONIZMI SI FENOMEN Koleksionizmi i artit është një fenomen që daton me antikitetin greko-romak dhe me kalimin e kohës koleksionizmi...

Me trupin tend te mornicuar / Nga Joyce Mansour

E hapa koken tende Per te lexuar mendimet e tua I pertypa syte e tu Per te shijuar veshtrimin tend E piva gjakun...

Dua te fle krahe me krahe me ty, nga Joyce Mansour

Dua te fle krahe me krahe me ty Floket tone te gershetuar Sekset tona te bashkuara Me gojen tende per jastek Dua te...

Seria e re e pikturave nga Parlind Prelashi

Seria e re e pikturave nga Parlind Prelashi @p.prelashi #art #artist #love #drawing #photography #artwork #instagood #photooftheday...

Podcast me Adriana Puleshi – 25 December 2023, Live nga Tirana, ALB

Posterat - Podcast me Adriana Puleshi - 25 December 2023, Live nga Tirana,...

Podcast me Arif Lushi – 15 December 2023, Live nga Tirana, ALB

Posterat - Podcast me Arif Lushi - 15...

Duhet të lexoni

Ti mund të pëlqesh gjithashtu:
Rekomanduar për ty